PS, në KQZ për t’i hequr mandatin kryebashkiakut te MALLAKASTRES,Agron Kapllanaj

PS, në KQZ për t’i hequr mandatin kryebashkiakut te MALLAKASTRES,Agron Kapllanaj

972
SHPËRNDAJE

Dy anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba dhe Bledar Skënderi, kanë depozituar dje në KQZ kërkesën për të hequr mandatin e kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, bashki e fituar nga Partia Demokratike.

Kërkesa e dy anëtarëve të mbështetur nga Partia Socialiste vjen në kuadër të ligjit të dekriminalizimit dhe dy anëtarët e KQZ pretendojnë se Agron Kapllanaj është dënuar në Itali, në vitin 1995, për veprën penale “vjedhje”. Këtë fakt kryebashkiaku i Mallakastrës e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit kur fitoi mandatin në vitin 2015, shkruan Panorama. Sipas Kodit Penal Italian, neni 624, thuhet se “kushdo që i merr tjetrit sendet me forcë dhe në fund merr përfitimin për vete apo për të tjerët, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 3 vjet dhe me gjobë nga 150 euro deri në 516 euro”. Në formularin e tij, Agron Kapllanaj thekson se kjo ngjarje është gjykuar në vitin 2003 nga Gjykata e Firences, e cila ka vendosur pezullimin e masës së dënimit.

Çështja e Agron Kapllanajt është shqyrtuar një herë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe është vendosur se nuk përbën shkelje, pasi vepra e tij është shuar. Por për dy anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë gabim llogaritë për vitet rehabilitimit të kryebashkiakut të Mallakastrës, për rrjedhojë kërkon që çështja të rishqyrtohet.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, konfirmoi për “Panorama” kërkesën e dy anëtarëve të propozuar nga Partia Socialiste. Por sipas Zgurit, për rastin e Agron Kapllanajt Prokuroria ka dërguar një informacion, sipas së cilës, theksohet se vepra për të cilën akuzohet kryebashkiaku i PD është rehabilituar dhe për rrjedhojë nuk çon në heqjen e mandatit. “Prokuroria në fakt ka sjellë një material, në të cilën thekson se rasti i kryebashkiakut të Mallakastrës nuk preket nga ligji i dekriminalizimit, pasi vepra është rehabilituar. Por dy anëtarët e KQZ kanë mendim tjetër dhe kërkojnë të thërrasin edhe një herë në mbledhje këtë çështje”, tha Zguri.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.