Ngritja e SPAK dhe angazhimi i amerikanëve, tmerron  politiken shqiptare

Ngritja e SPAK dhe angazhimi i amerikanëve, tmerron  politiken shqiptare

74
SHPËRNDAJE

Ngritja e SPAK dhe angazhimi i amerikanëve, duket se ka trembur klasën politike shqiptare. Zvarritja e reformës në drejtësi është një dëshmi e qartë se askush nuk e do këtë reformë, teksa më të prekurit janë ata individë që janë përfolur për afera. Mjafton një indicie, një lajm mediatik apo një dëshmi për një peron të caktuar që ka shpërdoruar detyrën, ka vjedhur apo ka abuzuar dhe ndaj tij nisin hetimet. Mirëpo të parët që pritet të preken janë ata zyrtarë që janë me precedentë. Teksa një ditë më parë gazeta bëri me dije se janë rreth 500 persona që janë të akuzuar, sot po zbardhim emrat e disa prej personave më të rëndësishëm. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila sot merret me dosjet e korrupsionit, do shkrihet dhe çdo dosje që ajo ka në dispozicion, plus dosjet që ka Prokuroria e Përgjithshme për zyrtarë të nivelit të lartë, do kalojnë aty. Gazeta “SOT” ka bërë një sërë kërkimesh mbi dosjet që janë në hetim dhe bëhet fjalë për ministra, ish-ministra, gjyqtarë, kryebashkiakë, deputetë dhe shumë drejtorë dhe zyrtarë ministrish a bashkish. Shumica e tyre janë kallëzuar penalisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, apo dhe nga vetë ministritë. Ligji për SPAK thekson se do të hetohen të gjithë ata zyrtarët për të cilët ka dyshime mbi ngjarje të ndryshme që nga 1991. Duke qenë se disa prej tyre janë me dosje, atëherë puna do nisë me ta dhe vitin që vjen pritet të nisin arrestimet e para.
Ministrat e akuzuar
Në zyrën e Adriatik Llallës janë 2 dosje ministrash aktualë, të cilët me krijimin e SPAK do kalojnë edhe një herë në sitë. Një çështje që është nën hetim është ajo e koncesioneve të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë. Për këtë arsye, hetimet janë shtrirë dhe deri te nivelet më të larta, përfshirë ministrin Ilir Beqaj dhe Milva Ekonomin, aktualisht ministre e Ekonomisë, por kur u dhanë koncesionet ishte zv/ministre e Shëndetësisë. Madje, kjo e fundit është marrë dhe në pyetje nga organi i akuzës. Me krijimin e SPAK edhe kjo dosje pritet të kalojë në juridiksionin e tyre. Ndaj Beqajt ka pasur padi dhe nga demokratët. Nga SPAK rrezikon edhe ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili është paditur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzim me marrëveshjen që u arrit me CEZ Shpërndarje, në mënyrë që çështja të mos shkonte në Arbitrazh. Sipas KLSH, shtetit i janë shkaktuar 479 milionë euro dëme. Prokuroria e ka mbyllur dosjen për Gjiknurin, por mësohet se KLSH do ripërsërisë padinë me ngritjen e SPAK. Por aktualisht dosja është mbyllur.
Ish-ministrat
Përveç 2 ministrave të qeverisë “Rama”, në sitën e prokurorëve të SPAK dhe FBI do kalojnë dhe 6 ish-ministra. Një ndër ta ka shërbyer si në qeverinë aktuale ashtu dhe në atë të drejtuar nga Sali Berisha. Bëhet fjalë për Edmond Haxhinaston. Në prokurori ka një dosje ndaj tij për privatizimin e Albpetrol. Gjatë kohës së qeverisë “Berisha”, Haxhinasto ishte ministër i Energjisë dhe personi kyç që firmosi privatizimin. Mirëpo pasi u arrit marrëveshja, kompania u largua, pa lënë si garanci 85 milionë euro, siç parashikohej në kontratë. Për këtë rast kanë nisur hetimet por që prej vitesh nuk ka asnjë konkluzion. Sa u takon ish-ministrave me dosje, ndër kryesorët është Lulzim Basha. Së pari është rruga Durrës-Kukës, ku Basha i shpëtoi gjykimit. Një tjetër akuzë e ngritur ndaj tij është 21 Janari, pasi Ministria e Brendshme ka bërë një padi, por që Adriatik Llalla fle mbi dosje. Po ashtu ka dhe dy kallëzime të tjera për abuzime me lejet e ndërtimit si kryetar bashkie i Tiranës. Pra, janë 4 akuza ndaj Lulzim Bashës. Emra të tjerë janë Ridvan Bode dhe Sherefedin Shehu. Të dy të kallëzuar për skandalin me rrugën Durrës-Kukës, pasi morën kredi me interes shumë më të lartë se normalja. Një tjetër emër është Arben Imami. Ndaj tij ka pasur një sërë padish për abuzime si ministër i Mbrojtjes dhe pritet që dosjet të rihapen. Një tjetër emër është Dritan Prifti, ish-ministër, i kallëzuar nga ILDKP për fshehje pasurie dhe pastrim parash. Këta janë emrat që nuk i kanë mbyllur hesapet me drejtësinë. Ndërkohë ka dhe persona si Genc Ruli e Florion Mima, që janë akuzuar për privatizimin e OSSH, por për ta janë pushuar hetimet, edhe pse nuk përjashtohet mundësia të rihapen.
Zyrtarët e lartë
Përveç ministrave dhe ish-ministrave, ka në prokurori dosje dhe për deputetë, ish-deputetë dhe zyrtarë ministrish dhe drejtorish. Një emër është Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca, i akuzuar për shpërdorim detyre. Një tjetër emër i njohur është Arben Seferi, ish-Administrator i CEZ, ku dhe ai është nën hetim. Po ashtu në prokurori janë kallëzuar nga KLSH me dhjetra punonjës ministrish të akuzuar për abuzime me tenderat. Në prokurori janë kallëzuar zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Brendshme. Hetimet për të vijojnë dhe nuk ka asnjë konkluzion. Me ngritjen e SPAK në vjeshtë, pritet që të gjitha dosjet dalëngadalë të transferohen aty dhe Adriatik Llallës do i hiqen kompetencat nga hetimet për to. SPAK do jetë i pavarur dhe influenca politike aty do jetë minimale.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.