Mazhoranca në pikiatë numrash në sallën e Parlamentit

Mazhoranca në pikiatë numrash në sallën e Parlamentit

32
SHPËRNDAJE

Mazhoranca qeverisëse prej disa ditësh është në pikiatë numrash në sallën e Parlamentit. Edhe ditën e enjte u tregua qartë se PS është braktisur nga aleatët, ndërsa dhe vetë deputetët e saj nuk i votojnë më ligjet. Dy javë më parë në sallë pati 72 deputetë, ndërsa dhe këtë të enjte ligjet u miratuan me vështirësi, pasi Gramoz Ruçi detyroi deputetët të kthehen nga rruga për të shkuar në 74 vota në sallë. Por teksa një ditë më parë gazeta shkruante se aleatët nuk ishin të gjithë në sallë, Kuvendi ka zbardhur procesverbalin e votimit. Interesant është fakti se janë plot 13 deputetë të mazhorancës që nuk kanë qenë të pranishëm në sallë dhe për pasojë kjo ka sjellë shumë vështirësi në votimin e ligjeve. Edhe pse Gramoz Ruçi në mbledhjen që pati ditën e hënë me grupin parlamentar kërkoi që të mos ketë asnjë mungesë dhe asnjë largim jashtë vendit, pasi ruhej dhe braktisjes nga aleatët. Por në seancën e së enjtes ishin pikërisht aleatët ata që e vështirësuan shumë mazhorancën. Nga PDIU mungonin 4 deputetë: Aqif Rakipi, Mesila Doda, Edmond Zejno dhe Shpëtim Idrizi. Ndërsa nga LSI ishin: Monika Kryemadhi, Ylli Shehu dhe Petrit Vasili. Por interesant është fakti se mungonin dhe 6 deputetë të grupit parlamentar të LSI. Në listë janë: Anastas Angjeli, Bashim Fino, Valentina Leskaj, Eduart Ndocaj dhe Parid Cara. Bojkoti i parlamentit nga opozita ka vënë në vështirësi të mëdha mazhorancën. Nga ana tjetër dhe qëndrimet e aleatëve të PS nuk kanë qenë shumë të konsoliduara. Ditët e fundit, PDIU ka vënë kushte ndaj Ramës sa i takon vijimit të bashkëpunimit, pasi ata kërkojnë numërues nëpër qendrat e numërimit. Mirëpo kjo gjë nuk pranohet nga socialistët dhe situata është tensionuar jashtë mase. Nga ana tjetër, edhe marrëdhëniet me LSI nuk janë shumë të mira. Edhe pse Meta nuk pranoi qeverinë teknike të Bashës, sërish LSI nuk ka vendosur se çfarë do të ndodhë në zgjedhjet e 18 qershorit. PS ka qenë e hapur për bashkëpunim, mirëpo LSI ende nuk është e bindur nëse duhet të shkojë në zgjedhje po me këtë koalicion. Duket se sinjalet që mazhoranca është shumë delikate, janë dhënë në seancën plenare të së enjtes.
Situata në koalicion
Prej muajsh, LSI zvarrit përgjigjen ndaj PS sa i takon vijimit të bashkëpunimit, për arsye se Rama nuk pranon kushtet e Ilir Metës. Shefi i qeverisë i ofroi atij presidentin, mirëpo Meta kërkon postin e kryeministrit. Të premten e javës që lamë pas ai deklaroi se LSI vijon t’i qëndrojë deri në fund marrëveshjes. Kjo marrëveshje parashikon që mandatin e dytë të jetë Meta kryeministër, por këtë gjë Rama nuk e pranon. Mirëpo me daljen e PD në protestë duket se janë rikthyer presionet mes palëve. Edhe deklarata e djeshme ku tregoi se Rama u tërhoq dhe ofroi bashkëpunim me opozitën, tregon se LSI ka arritur të realizojë synimet e saj. Nga ana tjetër edhe marrëdhëniet e Ramës me PDIU kanë filluar të tensionohen. Çamët ende nuk e kanë vendosur nëse do shkojnë me PS në zgjedhjet e 18 qershorit, pasi kushti i tyre i vetëm është që të jenë të barabartë me LSI sa i takon komisionerëve dhe numëruesve. Mbetet të shihet se çfarë surprizash do prodhojë prilli, kur do vendosen dhe koalicionet.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.