Krijohet Fronti Opozitar PD-LSI: Të largohet Rama, të krijohet qeveri Antimafia

Krijohet Fronti Opozitar PD-LSI: Të largohet Rama, të krijohet qeveri Antimafia

10
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilluan një tryezë me dyer të mbyllura ditën e sotme në lidhje me përgjimet ndaj Moisi Habilajt në trafikun e drogës, ku përmendet edhe emri i ish-ministrit Saimir Tahiri.
Në përfundim të mbledhjes, PD – LSI dolën me një deklaratë të përbashkët duke kërkuar largimin e Kryeministrit Edi Rama, pasi sipas tyre, u provua kriminalizimi i zgjedhjeve dhe blerja e votave me paratë e drogës.
– Rama, përgjegjës për lidhjet e krimit me shtetin
– Të vendosur që Edi Rama të largohet
– Prokuroria të nisë hetimet për Saimir Tahirin
-Kriminalizimi i zgjedhjeve u provua me fakte
– Kërkojmë largimin e Ramës nga kreu i Qeverisë
PD dhe LSI kërkojnë që të formohet një qeveri Anti-Mafia deri në organizimin e zgjedhjeve të reja. Në deklaratë thuhet se demokracia e Shqipërisë në kushte të tilla ndodhet në rrezik për shkak të lidhje të qeverisë me krimin. /tvklan.al
Deklarata e përbashkët e frontit opozitar:
Ne përfaqësuesit e Partive Politike Parlamentare dhe jo Parlamentare të mbledhur sot në këtë moment shumë të vështirë që po kalon vendi
Deklarojmë se:
Kriminalizimi i zgjedhjeve të 25 qershorit përmes parave të drogës dhe përfshirjes së kriminelëve dhe bandave është provuar tërësisht me faktet tronditëse të ditëve të fundit, të cilat janë asgjesuese dhe pa asnjë ekuivok.

Demokracia në Shqipëri ndodhet në një moment kritik dhe në një udhëkryq tepër të rrezikshëm pasi qeveria është bërë frymëzuese dhe mbështetëse kryesore e trafiqeve dhe veprimtarisë kriminale duke tronditur nga themelet sigurinë individuale të çdo qytetari dhe të shtetit në tërësi.

Ky moment shumë i vështirë që po kalon vendi dhe qytetarët shqiptarë na imponon:

Krijimin e një Fronti të Bashkuar Opozitar kundër Krimit me të gjithë partitë politike, që kanë këtë vetëdije për rrezikun madhor që po kalon vendi.
 Jemi të bindur se drejtuesi dhe përgjegjësi kryesor i lidhjeve të krimit e narkotrafiqeve me kupolën e lartë të shtetit dhe përfaqësuesi kryesor i narkoshtetit, interesave të oligarkisë dhe të korrupsionit është kryeministri Edi Rama.

Ky Front kërkon:

Largimin e kryeministrit nga drejtimi i qeverisë si përgjegjësi kryesor i lidhjeve të krimit me kupolën qeverisëse, si përfaqësuesi i interesave të korrupsionit dhe oligarkisë, si ideatori dhe realizuesi i blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve.

Krijimin e një qeverie të antimafias dhe reformës zgjedhore me mandat të përcaktuar që të cojë vendin drejt zgjedhjeve për të rivendosur legjitimitetin.

Fronti shprehet i vendosur që së bashku me qytetarët do ta realizojë me të gjithë mjetet demokratike këtë kërkesë.

Ky Front i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë urgjent dhe të kryejë me shpejtësi, në përputhje me dispozitat kushtetuese e ligjore, hetimin për ish-Ministrin Sajmir Tahiri dhe në bashkëpunim me autoritetet homologe italiane dhe te tjere, të kryejë të gjithë veprimet e nevojshme për të vënë para drejtësisë të gjithë individët e implikuar në trafikun e drogës dhe të armëve, të zbuluar së fundmi.

Të hetojë edhe lidhjet e ministrave të tjerë të kesaj qeverie me trafiqet dhe implikimin e tyre në bashkëpunimin kriminal për blerjen e votës në 25 qershor 2017.

Ky Front i bën thirrje cdo organizimi qytetar, apo të shoqerisë civile si dhe cdo qytetari të ndershëm të bëhet pjesë e kësaj beteje historike me krimin për të mbrojtur sistemin tonë demokratik, sigurine kombetare dhe të ardhmen e fëmijve tanë.

Fronti do të mbeshtese me vendosmeri:

Zbatimin e Reformës në Drejtësi për të siguruar DEKRIMINALIZIMIN E POLITIKES ndëshkimin e drejtuesve të lartë të shtetit të implikuar në afera korruptive, pasuruar në mënyrë të paligjshme, të lidhur me krimin e narkotrafiqet si dhe Realizimin e një Reforme Zgjedhore gjithpërfshirëse që garanton shpërbërjen e lidhjeve të krimit me politikën, eleminimin e përdorimit të parave të korrupsionit, krimit e narkotrafiqeve për blerjen e votës, me objektivin e zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.