Vllahutin 1.6 milion euro vilë, BE bashkëjeton me korrupsionin

Vllahutin 1.6 milion euro vilë, BE bashkëjeton me korrupsionin

73
SHPËRNDAJE

Rolling Hills është një kompleks i njohur vilash të shtrenjta në periferi të Tiranës. Mure të lartë rrethues me siguri të përforcuar mbyllin përbrenda tyre, vila të bukura të zhytura në luks dhe gjelbërim, të përshtatura për një standard të lartë jetese.
Nuk është rastësi që kjo zone e kryeqytetit e njohur edhe si “vilat e Lundrës” është bërë vitet e fundit vendi i preferuar për banim nga miliarderët e Tiranës mes të cilëve politikanë, ish-kryeministra e fëmijë ish-kryeministrash, maniatë mediash, biznesmenë etj, dhe sidomos shumë nga ata që ambasadorët e BE dhe SHBA në Tiranë i kanë akuzuar si të korruptuar dhe pengues të reformës në drejtësi gjatë muajve të fundit.
Për këtë arsye, ka qenë një befasi jo fort e këndshme për grupin investigativ të gazetës DITA, kur ka zbuluar nga një kontratë noteriale faktin që pikërisht në “fshatin e të korruptuarve” ka blerë së fundmi rezidencën e saj edhe denoncuesja e korrupsionit, ambasadorja e BE-së, Romana Vllahutin.
Një kontratë noteriale, ku ka shumë gjëra që nuk shkojnë, është publikuar sot nga DITA. Dokumentet zbulojnë se rezidenca e re e ambasadores Vllahutin është blerë me fonde të BE-së për plot 1 milion e 649 mijë euro, duke u renditur ndoshta në top listën e vilave më të shtrenjta të Rolling Hills.


Bëhet fjalë për një vilë rreth 345 metra katrorë në një truall rreth 1600 metra katrorë. Me një llogari të thjeshtë dhe duke krahasuar çmimet e vetë Rolling Hills në faqen zyrtare del se BE ka blerë me një super-çmim që tejkalon disa herë çmimin me të cilin shitet edhe vila më e shtrenjtë në këtë kompleks.
Në aktin noterial të shitjes vihet re përveç çmimit të fryrë edhe fakti që shitja është kryer nga shtetasi privat L.D. i datëlindjes 1980, posedues pronash milionëshe duke qenë vetëm 35 vjeç. Dhe për më tepër, nuk rezulton që selia e BE në Tiranë të ketë kryer tender për këtë blerje.
Duke qenë se përgjithësisht BE nuk blen vila për ambasadorët e vet, por përdor qiranë, ky përjashtim në Tiranë, aq më tepër me gjithë këto pikëpyetje nga pas, nuk ka kaluar pa u vënë re.
DITA ka mësuar se një mision auditi i BE-së do udhëtojë drejt Tiranës. Ndërkohë një tjetër fakt kurioz i shton dyshimet: Agjencia e njohur për shkrime investiguese BIRN, e la përgjysmë hetimin për këtë blerje për arsye ende të panjohura.
Hetimi u ndërpre në momentin që analiza krahasimore e çmimit të vilave në Rolling Hills nxori në pah një të dhënë shumë kompromentuese: Çmimi i vilës në fjalë, as në shkurt 2015 kur u lidh kontrata, as sot e kësaj dite nuk i kalon të 1 milion eurot.
Një jurist i kontaktuar nga DITA thotë se duhet parë bazuar në çfarë rregullash zyra e BE në Tiranë ka vendosur të bëjë një blerje të tillë, pse vilë për ambasadoren dhe jo zyra për shembull; përpos faktit që duket e pa precedentë që një organizatë multinacionale blen prona në një shtet të caktuar.
 E pyetur nga DITA Ministria e Drejtësisë nuk pranoi të jepte informacion mbi rastin, por gazeta disponon aktin noterial të blerjes. Veç labirintit ligjor dhe dyshimeve që krijon kjo blerje disa pyetje mbi moralin e këtij veprimi bëhen të pashmangshme:
BE do paguajë detyrime të përbashkëta në këtë fshat me të gjithë banorët e tij miliarderë, pra do bashkëjetojë me ata që ka akuzuar për korrupsion. A mund t’i lejojë vetes BE të blejë një pronë edhe më shtrenjtë se e blen një i korruptuar shqiptar, madje as e regjistron dhe as e deklaron këtë aset?
Është e vërtetë që bëhet fjalë për fonde të BE-së dhe fakti se çfarë fshihet pas çmimit abuziv me të cilin është blerë kjo pronë i përket misionit auditues që mbron interest e taksapaguesve europianë. Por në Shqipëri, na intereson mesazhi publik që jep BE në këtë rast: Janë për t’u ndarë apo për të bashkëjetuar me korrupsionin?

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.