26 parti braktisin koalicionin me Ramën, afrimi i PDIU dhe LSI përçan...

26 parti braktisin koalicionin me Ramën, afrimi i PDIU dhe LSI përçan të majtën

74
SHPËRNDAJE

Partitë e vogla të majta kanë nisur lëvizjet për të krijuar polin e tretë politik, në prag të zgjedhjeve parlamentare. Këto parti kanë kritikuar kryeministrin Edi Rama se nuk ka zbatuar marrëveshjen politike me ta, për shkak të afrimit të PDIU dhe LSI në koalicion, parti të cilat kanë marrë pjesën më të madhe të pushtetit dhe kanë lënë jashtë loje partitë e vogla.

 Partitë e vogla të majta nuk kanë marrë asnjë post, qoftë në rang drejtorësh apo në qeveri. Afrimi i LSI dhe PDIU në koalicion do të bëjë që 26 parti të vogla të majta të mblidhen ditën e mërkurë dhe të zyrtarizojnë polin e tretë në Shqipëri. Pjesë e polit të tretë do të jenë edhe aleatët tradicionalë të Partisë Socialiste; Skënder Gjinushi i PSD dhe Paskal Milo i PDS. 

Këto 26 parti do të braktisin PS e kryeministrin Edi Rama, dhe do të shkojnë së bashku në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Kryeministri Edi Rama, ditë më parë, caktoi si negociator Musa Ulqinin për të bindur krerët e partive të vogla të majta për të qëndruar në koalicion, me premtimin se pas zgjedhjeve parlamentare nëse e majta do të fitojë, PS nuk do të lërë më në baltë aleatët e vegjël.

 Por duket se aleatët e PS nuk janë bindur këtë herë, pasi sipas tyre, shkuarja në zgjedhje me PDIU dhe LSI do të bëjë që ata të mbeten sërish jashtë loje. Në këto kushte, këto parti kanë menduar t’i bëjnë presion Ramës që të shkojnë në zgjedhje duke krijuar polin e tretë politik në vend.

 Por, kryeministri nuk mund të nxjerrë jashtë koalicionit dhe të refuzojë bashkëpunimin me dy partitë më të mëdha të koalicionit të majtë pas PS, sidomos me LSI, me të cilën ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme. Me këto parti, Rama e ka më të sigurt fitoren e së majtës në 18 qershor.

 Megjithatë, aleatët ndihet shumë të zhgënjyer nga sjellja e kryeministrit, pasi marrëveshja nuk është zbatuar që nga viti 2013. Ndërsa afrimi i PDIU dhe LSI në koalicion, të cilat kanë marrë pjesën më të madhe të pushtetit, e kanë acaruar më tej situatën, duke detyruar 26 parti të majta të dalin nga koalicioni.   
Lëvizjet e Ramës
Kryeministri Rama, ditë më parë, nisi lëvizjet për të mbajtur në koalicion partitë e vogla të majta. Kryeministri Edi Rama hoqi Taulant Ballën si negociator dhe këtë detyrë ia besoi Musa Ulqinit, që të bindë partitë e vogla të qëndrojnë në koalicion me PS. 

Taulant Balla ka zhvilluar disa takime me partitë e vogla për zbatimin e marrëveshjes, por asnjëherë nuk u ndërmor një hap për realizimin e kërkesave të tyre. Këtë lëvizje Rama e bëri edhe në një kohë kur nuk e kishte të sigurt bashkëpunimin me LSI. 

Edhe pse koalicionet nuk janë zyrtarizuar, Ilir Meta e bëri të qartë ditë më parë se nuk ka ndërmend të bëjë koalicion me PD, që do të thotë se do vijojë bashkëpunimin me PS. Pak ditë më parë, Musa Ulqini zhvilloi takime kokë më kokë me kryetarët e partive. 

Ai ka dëgjuar kërkesat e pambajtura të partive të majta, që nisin që nga zgjedhjet e 2013 dhe të 2015. Musa Ulqini u dha garanci aleatëve të koalicionit, se këtë herë, PS do të tregohet më e përgjegjshme dhe do të marrë në konsideratë kërkesat e partive të vogla të majta. 

Në takimin me Musa Ulqinin shkuan të gjitha partitë, ku kanë diskutuar se do ta mendojnë vijimin e bashkëpunimit ose jo me PS në 2017. Por, këtë herë, as Musa Ulqini nuk do të bindë dot aleatët e vegjël të PS. Gjithçka do të vendoset ditën e mërkurë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.